Tiranë, 2002 — 512 f.
Duke pasur parasysh edhe këshillat miqësore të disa kolegëve, e pashë me vend që të përgatit një version të përmbledhur të gramatikës historike të gjuhës shqipe, për të plotësuar kështu një mungesë në literaturën e kësaj fushe studimesh. Në këtë mënyrë shpresoj se mund t'u vihet në ndihmë jo vetëm studentëve të gjuhës shqipe në universitetet tona por edhe atyre studiuesve shqiptarë dhe të huaj, që janë të interesuar për t'i njohur më mirë çështjet e evolucionit historik të strukturës gramatikore të gjuhës shqipe. Një botim i ri gramatikës historike të gjuhës shqipe është bërë i nevojshëm, jo vetëm sepse botimet e mia të mëparshme, Morfologjia historike e gjuhës shqipe I (1972) dhe II (1976) dhe Gramatikë historike e gjuhës shqipe (1986) ka kohë që nuk janë më në qarkullim, por edhe sepse në këtë ndërkohë nuk kanë munguar edhe ndihmesa të reja në këtë fushë studimesh dhe këto janë pasqyruar në botimin e pranishëm brenda kufijve të mundshme, sa herë që është parë e nevojshme.